Kallëzimi ndaj Edi e Linda Ramës “përplas” gjykatat

Nga Armand Bajrami
25 Prill 2025, 18:50 | Kronikë

Pas “ping-pongut” mes SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës mbi hetimin ose jo të një kallëzimi penal kundër kryeministrit, Edi Rama e bashkëshortes së tij Linda Rama, çështja ka futur në konflikt edhe Gjykatën e Posaçme me Gjykatën e Tiranës.

Dy gjykatat pretendojnë se nuk janë kompetente për të shqyrtuar një ankim të bërë kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës për mosfillim të hetimit ndaj të kallëzuarve.

Në të tillë situatë, çështja e kthyer në një “patate nxehtë”, është përcjellë për në Gjykatën e Lartë. Përmes një vendimi të datës 15 prill, gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka kërkon ndihmën e Gjykatës së Lartë për të zgjidhur kompetencën e shqyrtimit të ankimit. “Strumbullari” i ccështjes është një kallëzim në SPAK i avokates Ardiana Kalaja, njëkohësisht funksionare e PD, ndaj bashkëshortëve Rama, por edhe ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame dhe zyrtarëve të tjerë që mund të dilnin nga hetimit. Sipas saj, të kallëzuarit kishin kryer disa vepra penale, mes të cilave falsifikim, shpërdorim detyre e korrupsion, gjatë procedurës së regjistrimit dhe kalimit në pronësi të bashkëshortes së kryeministrit përmes blerjes së një sipërfaqe trualli në zonën e Dajtit. Pas verifikimeve, SPAK vlerësoi se nuk kishte rrethana që hetoheshin nga kjo strukturë dhe e kaloi kallëzimin për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës. Pas disa muajsh hetim, kjo e fundit, vendosi të mosfillojë procedim penal, vendim që u kundërshtua nga kallëzuesja Kalaja në Gjykatën e Tiranës, që e kaloi çështjen për kompetencë në Gjykatën e Posaçme. Por në këtë gjykatë, gjyqtarja Irena Gjoka, vlerësoi se gjykata e Posaçme nuk kishte kompetencë, shkruan A2 CNN.

Në kushtet kur dy gjykata nuk pranojnë kompetencën, gjyqtarja Gjoka ngriti mosmarrëveshjen në Gjykatën e Lartë. Pas zhvendosjes së akteve, Gjykata e Lartë do përcaktojë, cila gjykatë do shqyrtojë ankimin, ku do vendoset nëse do të vijojë ose jo hetimi ndaj kreut të qeverisë, familjarëve të tij dhe disa zyrtarëve të lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos