
Policia e Shtetit ka njoftuar pezullimin e një punonjësi policie, pasi ka kanosur me armën e shërbimit një person gjatë ditës së hënë.
Ngjarja ka ndodhur në Tiranë, në zonën e Laprakës, shkruan A2.
“Punonjësi i Policisë, Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, për motive të dobëta, u konfliktua me shtetasin D. H., të cilin dyshohet se e ka kanosur me armën e shërbimit. Menjëherë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit e ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë, Nënkomisar F. H., dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor”, lexohet në reagimin e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në funksion të hetimit, punonjësit të Policisë iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”.
Po në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore e procedurale Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka referuar materialet procedurale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja”. (A2 Televizion)