Operacion antidrogë nga Policia e Tiranës.
Dy persona kanë përfunduar në pranga. Të arrestuarit janë Enea Tahiri dhe Besnik Shabani, shkruan A2.
Sipas burimeve të A2, ata ishin duke lëvizur me një automjet dhe u ndaluan në Thumanë.
Brenda mjetit u gjetën rreth 60 kg kanabis, të ndarë në thasë.
Sipas burimeve, lënda narkotike ishte marrë në veri të vendit dhe nisur nga mënyra se si ishte paketuar dyshohet se do të trafikohej jashtë Shqipërisë. Dy të arrestuarit nuk kanë dhënë deklarime për të bërë të mundur që policia të identifikojë personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal të trafikut të drogës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “Interruption 3”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.
U kapën në flagrancë duke transportuar me automjet, 59 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (rreth 60 kg), vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen pakot me lëndë narkotike dhe automjeti.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka finalizuar një tjetër operacion për goditjen e tentativës për të shitur lëndë narkotike.
Si rezultat i operacionit të koduar “Interruption 3”, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. T., 37 vjeç dhe B. Sh., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin rrugor “Mamurras-Kashar”, në Thumanë, një automjet me të cilin dyshohej se po transportohej lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin E. T. dhe pasagjer shtetasin B. Sh., shërbimet e Policisë kanë gjetur 59 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 60 kilogramë e 6 gramë, që dyshohet se po ata po e transportonin me qëllim shitjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)