Vendim paraprak te "Partizani", kalon në gjykim Sali Berisha, nuk kërkon gjyq të shkurtuar

Nga Armand Bajrami
19 Maj 2025, 20:00 | Kronikë

Lideri i Opozitës, Sali Berisha, i akuzuar nga SPAK për “korrupsion” në dosjen “Partizani” do të ulet në bankën e të pandehurve në Gjykatën e Posaçme. Pas gati shtatë muajsh shqyrtim paraprak, gjyqtarja Flojera Davidhi vendosi të kalonte për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kryeministrit, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe të pandehurve të tjerë të çështjes.

“Rama përmes agjencisë së tij, GJKKO e realizoi edhe këtë fazë paraprake për ta dërguar çështjen në gjyq”, tha avokati Gjokutaj.

Në vendimin gjyqtarja Davidhi pranoi kërkesën e SPAK për të gjykuar Sali Berishën për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, ose të zgjedhurve vendorë”, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe biznesmenin Fatmir Bektashi për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”, ndërsa të pandehurit Xhimi Begeja, Andia Pustina dhe tre shoqëri tregtare për “pastrim të parave”.

Në seancën e fundit, avokatët e të pandehurve kërkuan shfuqizim të vendimeve të marra nga gjyqtarja Irena Gjoka për llogari të këtij hetimi, me pretendimin se nuk ishte në kushtet ligjore për të qenë gjyqtare, e po ashtu përsëritën pretendimet e tyre për pavlefshmëri të akteve, kërkesa që u refuzuan, shkruan A2 CNN.

Gjatë shqyrtimit paraprak, ish-kryeministri Berisha dhe të bashkëpandehurit nuk shfaqën kërkesën e gjykimit të shkurtuar, çka do të thotë që shqyrtimi i çështjes ndaj tij në themel do t’i nënshtrohet gjykimit të zakonshëm.

“Ne nuk e kemi kërkuar gjykimin e shkurtuar për dy arsye. E para, që mungon fakti penal. Nuk kemi çfarë të shkurtojnë apo zgjasim dhe kjo është themeli i mbrojtjes. E dyta, në momentin kur ne konstatojnë akte të pavlefshme dhe të papërdorshme gjykimi i shkurtuar, automatikisht është i rrëzuar, sepse nuk mundet të pranosh gjendjen e akteve me akte të pavlefshme apo të papërdorshme në të”, tha avokati Gjokutaj.

Në dosjen penale të kaluar për gjykim SPAK pretendon se ish-kryeministri Sali Berisha është korruptuar gjatë procedurës së privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” teksa në cilësinë e kreut të qeverisë ka miratuar ligje dhe akte nënligjore që shkonin në favor të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, që ishte një nga ish-pronarët në truallin e ish-kompleksit sportiv. Sipas SPAK, përfitimi i paligjshëm monetar i siguruar nga Jamarbër Malltezi pas privatizimit të ish-kompleksit shkon në shumën 5.4 mln euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos