
Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen në ngarkim të kardiokirurgut, Edvin Prifti. Ai akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “pastrim parash”. Dyshimet e SPAK ndaj mjekut nisën pas disa përgjimeve të bëra për llogari të dosjes ndaj ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.
SPAK akuzoi në atë kohë se shtetasja e arrestuar, Manuela Mallkuçi, i ka dhënë para mjekut të kardiokirurgjisë që të operonte jashtë radhe nënën e saj të sëmurë. Po gjatë hetimeve, Priftit ju gjetën në shtëpi 220 mijë euro për të cilat u akuzua për fshehje të të ardhurave.
“Sistemi ka filluar të funksionojë”, pati deklaruar asokohe Kryeministri Edi Rama. Vetë Prifti, gjatë mbrojtjes kundër arrestit me burg apo masave të tjera të sigurisë, ka deklaruar se paratë ishin fituar nga çmimet ndërkombëtare që ka marrë.
Pas betejave ligjore këto vite Prifti u rikthye në detyrë në QSUT. Vetëm tani nis për të gjykimi në GJKKO.
Kardiokirurgu ka mohuar akuzat në vijimësi dhe ka pretenduar se shteti u vu pas tij për shkak të qëndrimeve kritike që mbajti gjatë pandemisë Covid-19. Sot ai thotë se studimet për atë kohë po i japin të drejtë. (A2 Televizion)