
Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që shiste lëndë narkotike. Në operacionin “Labirinti 2” janë identifikuar 33 persona, pjesëtarë të rrjetit, ndërsa për 22 prej tyre është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Pas 4 javësh hetime nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës në pranga kanë përfunduar: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armand Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rruçaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.

Gjatë hetimeve janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë, ndërsa 6 persona janë shpallur në kërkim. Nga operacioni u sekuestruan rreth 500 gramë kokainë, 10 kg kanabis, 100 doza kanabis, 5 automjete, 28 celularë, 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Aktiviteti kriminal shtrihej në disa zona të Tiranës, si Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit, ndërsa droga shitej në lokale, tabakino, mjete taksi dhe e kamufluar si shpërndarje porosish.

(A2 Televizion)