“Kërciti, tym dynjaja, fëmijët u llahtarisën”, flasin banorët e pallatit ku ndodhi shpërthimi në Pogradec

Nga A2 CNN
22 Korrik 2024, 08:59 | Kronikë

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi rreth orës 02:30 të së hënës në sheshpushimin e një pallati midis katit të parë dhe katiti të dytë në Pogradec.

Banorët e pallatit kanë folur për A2 CNN duke u shprehur se janë tmerruar, ndërsa theksojnë se nuk kanë dyshime pse mund të ketë ndodhur kjo ngjarje, e cila fatmirësisht nuk pati të lënduar.

“Dëgjova një zhurmë që ia bëri bam, ishte shumë e fortë e llahtarisur. U trembën, doli një tym i madh. Këtu s’ka kështu problemesh, s’e kemi dëgjuar ndonjëherë, por nuk e dimë se çfarë ndodhi”, u shpreh një prej banorëve të pallatit.

“Kërciti, tym dynjaja. Fëmijët u llahtarisën e nuk dinim ku të shkonim. Çmenduri. Jemi bërë... çfarë të them”, thotë një tjetër banore e pallatit.

Por kush ishte shënjestra? A2 CNN mëson se bëhet fjalë për Meardi Berberin, një person me precedent të theksuar kriminal, i cili së fundmi ka përfituar nga amnistia. Ai ka qenë i dënuar më herët për veprat penale "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake", “Kundërshtim i punonjësit të policisë", "Prishje e rendit dhe qetësisë publike", si edhe plagosje me dashje.

Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga autorët.

Veprat penale për të cilat ishte dënuar Meardi Berberi

08.08. 2020- "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake".

10.02.2019- "Kundërshtim i punonjësit të policisë", "Prishje e rendit dhe qetësisë publike"

20.06.2008- "Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim" dhe "Armbajtje pa leje".

24.02.2018- “Kanosje, prishje e qetësisë publike”.

24.04.2011- “Plagosje e rëndë me dashje” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos