Gjykata e Posaçme ka lënë në arrest shtëpi avokatin Bardhi Koçi të arrestuar dy ditë më parë me urdhër të SPAK. Sipas njoftimit të Gjykatës urdhërohet policia gjyqësore dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 248, 228 e vijues të K. Pr.Penale, me vendimin Nr. 29, datë 03.03.2025, vendosi: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 të K.Pr.Penale, të caktuar ndaj të hetuarit Bardhi Koçi, i biri i Emin dhe i Lalote, i datëlindjes 29.01.1957, lindur në ****, dhe banues në ****, me shtetësi shqiptare, me gjendje civile i martuar dhe me dy fëmijë, me gjendje gjyqësore i padënuar më parë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal”, njofton Gjykata e Posaçme.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 5 (pesë) ditëve duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
Avokati Bardhi Koçi akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Në kohën e kryerjes së veprave penale ai ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ku ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj. (A2 Televizion)