KLP zgjedh kreun e ri të SPAK, në garë 4 kandidatë

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2025, 08:52 | Kronikë

KLP zgjedh kreun e ri të SPAK, në garë 4 kandidatë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mblidhet sot në orën 09:00 për të zgjedhur drejtuesin e ri të SPAK, ndërsa mandati i Altin Dumanit përfundon më 18 dhjetor. Procesi do të zhvillohet në një mbledhje të hapur për mediat, ku katër kandidatët do të prezantojnë platformat e tyre përpara anëtarëve të KLP-së, përfaqësuesve të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në garë janë katër prokurorë të SPAK-ut, Adnan Xholi, Klodian Braho, Elvin Gogaj dhe Doloreza Musabelliu, kjo e fundit, gruaja e parë që synon drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Të gjithë kandidatët kanë eksperiencë të gjatë në hetime të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Xholi njihet për dosjet e krimit të organizuar dhe hetimin e atentatit ndaj prokurorit Ndoja. Braho ka drejtuar çështje të bujshme si inceneratorët dhe “Toyota Auris”. Gogaj është autor i hetimeve ndaj ish-ministrit Ahmetaj dhe abuzimeve në tenderë publikë. Musabelliu ka qenë pjesë e hetimit të “Plumbit të Artë” dhe masakrës së Lushnjës.

Kreu i ri i SPAK do të zgjidhet me shumicën e votave të KLP-së, në një proces që partnerët ndërkombëtarë kërkojnë të jetë i drejtë dhe transparent. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos