Këto janë momentet ku jeta e zjarrfikësve rrezikohet nga zjarri i përmasave të mëdha që ka rënë këtë të mërkurë në Daias të Tiranës, pranë malit të Dajtit. Flakët, të favorizuara nga era, janë përhapur me shpejtësi në një zonë me bimësi të dendur dhe shkurre.
Gjithashtu, edhe në Krujë vijojnë ende vatra zjarri në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Vatra në Abaze është izoluar dhe s’ka rrezik për zonat e banuar.
Po ashtu, prej dy ditësh digjet masivi me pishë të zezë dhe bredh në Parkun Kombëtar të Lurës, në Dibër. Era e fortë dhe terreni i thyer e vështirësojnë ndërhyrjen, ndërsa flakët po afrohen me disa banesa.
Në Drenie të Patosit, zjarri është riaktivizuar dhe po punohet për shuarjen e flakëve. Edhe vatrat në Dajt e Priskë s’paraqesin rrezik. Gjithashtu është izoluar vatra në “Lëndinën e Madhe”, mbi fshatin Sinicë në Devoll, por po mbahet në monitorim për çdo riaktivizim të mundshëm.
Në të gjithë vendin janë 10 vatra aktive zjaresh, ku për shuarjen e tyre janë angazhuar 450 forca operacionale, 2 avionë “Air Tractor” dhe 3 helikopterë. (A2 Televizion)