IKMT dhe Policia e Shtetit kanë prishur një ndërtim pa leje në zonën e Shën Janit, në Karaburun. Pamjet tregojnë se objekti pa leje i ngjan një “ishulli” të privatizuar brenda ishullit duke parë përmasat e mëdha të ndërtimit.
Sipas policisë objekti prej druri, i cili po ndërtohej si "beach bar" nga shtetasit Olsen Sherifaj dhe Skerdi Dinaj. Të dy personat ishin proceduar më herët penalisht dhe kishin tejkaluar afatin e përcaktuar për prishjen vullnetare të objektit.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi Skerdi Dinaj, ndërsa ortaku i tij, Olsen Sherifaj u shpall në kërkim. Në aksion morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro.
Ndërkohë, nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë vijojnë veprimet hetimore për nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë përgjegjës, që kanë lejuar apo kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin. (A2 Televizion)