Kontrabandë nafte nga Maqedonia e Veriut, pranga 64-vjeçarit në Qafë Thanë, procedohet doganieri

Nga A2 CNN
16 Korrik 2025, 13:30 | Kronikë

Kontrabandë nafte nga Maqedonia e Veriut, pranga 64-vjeçarit në

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në PKK Qafë Thanë, kanë vënë në pranga një 64-vjeçar për kontrabandë nafte nga Maqedonia e Veriut. Policia njofton se gjatë kontrollit në automjetin e tij u konstatua një depozitë rezervë me një sasi nafte, për të cilën 64-vjeçari I. M. nuk kishte ndonjë dokument apo faturë.   

“Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 64 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës””, njofton Policia.

Gjithashtu ka nisur procedimi penal për shpërdorim detyre për doganierin e kësaj pike kufitare, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontroll në automjetin e 64-vjeçarit.

“Referuan materialet në Prokurori, ku  filloi procedimi penal për shtetasin V. B., 56 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë doganier në PKK Qafë Thanë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", pasi dyshohet se nuk ka kryer kontroll në automjetin e shtetasit I. M”.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos