Ervin Muça, ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit merret i pandehur nga Prokuroria e Tiranës. Ai akuzohet për ndërhyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike, rast i lidhur me kopjimin e të dhënave në sistemin TIMS, sistem që regjistron hyrje-daljet e qytetarëve nga kufijtë e vendit. Që prej 9 prillit të vitit të kaluar, Muça ndodhet me masë sigurie arrest në shtëpi, shkruan A2 CNN.
Sipas prokurorisë, Muça akuzohet se ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB, ndërsa veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up, jo pjesë e stafit. Ky person, thotë prokuroria, shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent.
Vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat, lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk. Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up. Sa më sipër, hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar. Pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht.
Prokuroria e Tiranës
Çështja ndaj tij është veçuar nga Prokuroria për shkak se kanë përfunduar afatet e hetimit, ndërsa organi i akuzës po heton persona të tjerë për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ndërhyrja në sistemin TIMS u komentua gjerësisht në verën e 2023-it. E para që reagoi ishte Ambasada Amerika, ku në gusht të atij viti gjatë një takimi që i ngarkuari me punë McDowell bëri me ministrin e kohës Taulant Ballën, kërkoi kryerjen e një hetimi të thelluar, për ndërhyrjen që ishte bërë në sistemin Tims.
Por kjo kërkesë e diplomatit amerikan, nuk u prit mirë nga kreu i qeverisë. Një javë më pas, Edi Rama siguroi se nuk kishte rrjedhje të të dhënave në sistemin Tims, sheh të pavend reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kërkonin një hetim të shpejtë për rastin. Pak ditë pas këtyre deklaratave, Prokuroria e Toranës nisi dhe hetimet. Ndërsa në reagimin e saj opozita e cilësonte si ndërhyrje në Tims, të bërë për qëllime kriminale. (A2 Televizion)