“Kristiani s’më ka thënë të votoj Doshin”, dëshmitarët flasin në seancën e kreut të Bashkisë Vau i Dejës

Nga Igli Çelmeta
6 Mars 2026, 14:27 | Kronikë

 “Kristiani s’më ka thënë të votoj

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës ndaj kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzën për korrupsion aktiv në zgjedhje. Ashtu si edhe në seancën e kaluar, Prokuroria e Posaçme vijoi edhe këtë të premte me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur në këtë proces.

Në gjykatë dëshmoi Martin Toma, i cili iu përgjigj pyetjeve të prokurorit.

Martin Toma: “Punoj në OSHEE në Vau të Dejës, me detyrë elektricist. Në lidhje me një remont jam në dijeni pjesërisht. Në Stajkë ka qenë një lagje me një rrjet të amortizuar. Na thirrën drejtuesit e OSHEE dhe na thanë se do të punonim në atë zonë. Shefi i teknikës, Jetmir Deda, na tha se do të shkonim atë ditë për të bërë remontin. Sapo shkuam në lagjen e Stajkës bëmë demontimin dhe më pas vendosëm shtyllat. Bëmë hapjen e gropave, vendosjen e shtyllave dhe kabllove. Të gjitha materialet erdhën me makinat e OSHEE dhe me faturat përkatëse. Ka qenë edhe një fadromë që hapi gropat, por nuk e di nëse ishte private apo shtetërore.”

Dëshmitari tjetër, Leorenc Pjetra, deklaroi:

Leorenc Pjetra: “Punoj specialist i urbanistikës në Bashkinë Vau i Dejës. Kam dijeni për një linjë elektrike në fshatin Stajkë dhe e kam marrë vesh nga një portal. Nuk e di çfarë investimi është kryer, por di vetëm për një linjë elektrike. Di që është bërë në muajt shkurt-mars të vitit 2025. Në atë kohë kam qenë drejtor i Shërbimeve Publike. Nuk e kujtoj të kem marrë telefonatë nga Kristian Shkreli për këtë rast. Kemi pasur telefonata të shpeshta për kanale vaditëse apo kulluese, por për këtë rast më është kërkuar ndihmë nga drejtuesi i OSHEE për një fadromë. Nuk e kujtoj që Kristian Shkreli të më ketë telefonuar. Drejtori më tha se i duhej fadroma për të hequr shtylla. Fadromën do ta përdorte një shtetas me emrin Kastriot.”

Dëshmitare në këtë proces ishte edhe Franga Kolaj, banore në Laç të Vau të Dejës.

Në gjykatë, prokurori lexoi një bisedë të përgjuar mes Franga Kolajt dhe Kristian Shkrelit, në lidhje me mënyrën se si duhet të votonin fëmijët e saj që jetojnë në diasporë. Sipas bisedës, Shkreli i thotë të votojë numrin 11, por pa votuar kandidatët.

Franga Kolaj: “Para shumë kohësh kam pasur burrin të sëmurë. Kur u dëmtua burri më ka ndihmuar Tom Doshi. Unë jam e majtë me familje dhe jam kryetare e gruas për PS në Vau të Dejës. Kur erdhi Kristian Shkreli kryetar na ka ndihmuar. Fëmijët më thanë se donin të votonin Tom Doshin, se e kishin detyrim moral. Mora Kristianin në telefon dhe i thashë: më thanë fëmijët kë të votojmë nga kandidatët, dhe Kristiani më tha 11. Unë banoj në Laç të Vau të Dejës dhe nuk i kam kërkuar ndihmë asnjëherë për drita apo shërbime të tjera. Kristian Shkreli nuk më ka thënë asnjëherë të votoj Tom Doshin në këmbim të ndonjë shpërblimi.”

Në seancën e radhës për gjyqin ndaj Kristian Shkrelit pritet të dëshmojnë edhe katër dëshmitarë të tjerë. Trupa gjykuese caktoi datën 2 prill, ora 14:00, për vijimin e procesit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos