Drafti i ndryshimeve në Kodin Penal është pritur me kritika nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela. Përmes një reagimi shpërndarë mediave ai e cilëson hartimin e Kodit të ri një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend. Kritik kryeprokurori shprehet edhe për mënyrën e miratimit dhe konsultimin publik.
“Nisur edhe nga produkti i sjellë për diskutim, unë vlerësoj se ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme. Për më tepër, teknika e përdorur për ndërtimin e dispozitave, e bën të pamundur përmirësimin e tyre përmes procesit të konsultimit publik”.
Kryeprokurori ndalet edhe te zgjerimi i veprimeve që kategorizohen të rrezikshme dhe dënohen me burg, tendencë që sipas tij rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri dhe sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve, shkruan A2 CNN.
“Ardhja e draftit në këtë moment mjaft të vështirë për drejtësinë, kur sistemi ende vuan nga mungesat masive në organika dhe mbingarkesa e jashtëzakonshme e dosjeve, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të thellonte shumëfish kaosin në hetim dhe proceset gjyqësore, për shkak të konfuzionit të paevitueshëm që do të sillte zbatimi i normave të reja penale”.
Reagimin e tij kritik për ndryshimin e Kodit Penal kryeprokurori e mbyll me një sugjerim për institucionet e drejtësisë: ndryshimin urgjent të Kodit të Procedurës penale që sipas tij do të mundësonte funksionim më të mirë dhe lehtësim të proceseve nga burokraci që po ndikojnë në zvarritjen e hetimeve dhe gjykimeve. (A2 Televizion)