Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas mbylljes së hetimeve nga SPAK, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare.
Ai tha se u njoftua nga një gardian në orën 08:30 të mëngjesit. Për shkak të mungesës së avokatit të tij, Meta nuk është paraqitur pranë SPAK-ut, shkruan A2.
Reagimi i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:
Për transparencë me opinionin publik dhe në ndihmë të gazetarëve në funksion të mirinformimit
Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.
U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian. Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur.
Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme:
ZERO fakte penale!
ZERO prova penale!
ZERO akte dhe vendime të paligjshme!
ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit!
ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit!
ZERO pasuri të paligjshme! (A2 Televizion)