Policia Kufitare ka arrestuar një shtetas gjeorgjian, i cili po tentonte të largohej nga vendi ynë me dokumente të falsifikuara, raporton A2 CNN.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, bazuar në informacionet e marra përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të të dhënave me partnerët britanikë, se një shtetas gjeorgjian dyshohet se do të përdorte një pasaportë të falsifikuar për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar, menjëherë kanë organizuar punën. Si rezultat është bërë identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. Z., 41 vjeç, lindur dhe banues në Gjeorgji. Ky shtetas fillimisht ka paraqitur në sportelin e Policisë, për të dalë në mënyrë të rregullt nga Republika e Shqipërisë, pasaportë gjeorgjiane dhe një kartë imbarkimi për fluturim drejt Budapestit. Shërbimet e Policisë e kanë mbajtur në monitorim dhe e kanë konstatuar te porta tjetër dalëse, gati për imbarkim në linjën me itinerar “Tiranë-Mançester”. Në vijim të veprimeve, është bërë shoqërimi i shtetasit G. Z., në vijën e dytë, ku gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të bagazheve iu gjet një pasaportë greke me të dhëna të një shtetasi grek dhe një boarding pass më të njëjtat të dhëna. Nga ekzaminimet paraprake në laboraror, dyshohet se pasaporta është e falsifikuar”, tha policia.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas arrestuan në flagrancë shtetasin G. Z., 41 vjeç, për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftime dhe vizave” dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë. (A2 Televizion)