Kryebashkiaku nën hetim, Apeli i Posaçëm nuk liron nga qelia Erion Veliajn

Nga Armand Bajrami
13 Mars 2025, 19:35 | Kronikë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në burg. Apeli i Posaçëm vendosi të refuzojë kërkesën e tij për liri, duke lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" të caktuar më 12 shkurt nga Gjykata e Posaçme.

Vendimi ndaj kryebashkiakut, që po hetohet nga SPAK për "korrupsion" dhe "pastrim të parave" u shpall nga gjyqtari i posaçëm Engert Pëllumbi në një sallë ku ishte i pranishëm edhe vetë Veliaj. Në të njëjtin vendim, Apeli zbuti në "arrest shtëpie" masën "arrest në burg" për biznesmenin Elman Abule, ndërsa la të pa ndryshuara masat "detyrim për paraqitje" për biznesmenët Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Meriman Palushi, shkruan A2 CNN.

Vendimi u shpall me 1 orë më vonë nga orari i parashikuar, për shkak se gjyqtari Engert Pëllumbi ishte duke shqyrtuar ankimin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, kundër sekuestrimit nga SPAK të dy llogarive bankare dhe tre shumave parash të gjetura nga kontrollet e BKH në një nga zyrat e saj. Pasi refuzoi ankimin e saj, duke lënë në fuqi sekuestron, gjyqtari Pëllumbi, shpalli vendimin ndaj kryebashkiakut. Afria mes dy vendimeve në kohë bëri që Ajola Xoxa të ishte brenda godinës së Apelit të Posaçëm, kur në një nga sallat e saj u dha vendimi për kryebashkiakun. Ndërsa mohoi ekzistencën e provave të reja në gjyqin ndaj Xoxes, avokati i saj komentoi vendimin ndaj Veliajt.

Zgjidhja e çështjeve me masë arresti jo veç për Erion Veliajn, por për këdo, është një absurditet që veç në Shqipëri ndodh, sidomos për vepra që nuk paraqesin shkallë rrezikshmërie dhe vetë personi nuk paraqet shkallë të lartë rrezikshmërie. Presin të ndodhë ndonjë çudi në Gjykatën e Lartë, e natyrës që të pranojë kërkesën për zëvendësim mase të Erion Veliajt”, tha avokati Haxhia.

Shqyrtimi i ankimit të Veliajt dhe biznesmenëve mori tre ditë kohë në Apelin e Posaçëm. Në seancën e se martës, avokatët e Veliajt kërkuan lirimin nga paraburgimi të kryebashkiakut, me pretendimin se nuk ekzistonin kushtet ligjore për mbajten e tij në paraburgim. Paraqitja e disa përgjimeve nga SPAK, si provë e re, u bë shkak për shtyrjen e seancës për t’i dhënë kohë avokatëve të Veliajt të njiheshin me to.

Të mërkurën, avokatët dhe Veliaj kundërshtuan me forcë aktet e sjella nga prokurorët, që sipas kryebashkiakut ishin vetëm biseda telefonike të tij me njerëzit e familjes.

Pas dy ditëve seancë, të shtrira në gati 11 orë në total, gjyqtari Pëllumi i dha kohë vetës për ta shpallur vendimin ditën e tretë. Vendimin e Apelit kryebashkiaku Veliaj mund ta kundërshtojë në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45 ditor nga shpallja e vendimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos