Policia e Fierit ka shpallur në kërkim pronarin e një lokali në lagjen "1 Maji" të këtij qyteti pasi kishte përshtatur lokalin për përdorim droge. Në operacionin e koduar "Drugs", është vënë në pranga një 42-vjeçare, që shiste drogën në lokal.
“E punësuar si kameriere dhe banakiere në një lokal në lagjen "1 Maji", Fier, kjo shtetase u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë dhe nga kontrolli fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa. 42-vjeçarja u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, pronari i lokalit, shtetasi S. O., 43 vjeç, banues në Fier”, njofton Policia.
Nga kontrolli i lokalit u gjetën mbetje të lëndës narkotike cannabis sativa që dyshohet se ishte konsumuar nga klientë të ndryshëm të lokalit.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Pastri i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasi M. O., 30 vjeç, banues në Fier, pasi nga kontrolli i automjetit të parkuar në lokal, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi parash prej 13. 000 euro të cilat dyshohet ti ketë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, 13. 000 euro, 1 automjet, 1 grirëse dhe 3 celularë.
Vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit dhe dokumentimi i plotë ligjor i kësaj veprimtarie kriminale. (A2 Televizion)