Kthyen vilën 2 katëshe në “fole” prostitucioni, arrestohen 4 kineze në Durrës, e pësojnë edhe 8 shqiptarë

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 09:47 | Kronikë

Kthyen vilën 2 katëshe në “fole” prostitucioni,

Katër shtetase kineze, tre prej të cilave ushtronin prostitucion dhe tutorja e tyre, janë vënë në pranga nga policia, pas bastisjes së një vile, të përshtatur në “fole” të shfrytëzimit të prostitucionit.

“Si rezultat i operacionit të koduar “Storm 4”, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u bë arrestimi i shtetases kineze F. Ë., 46 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, e cila dyshohet se ishte drejtuese e dhe organizatore e këtij rrjeti prostitucioni. Gjithashtu u arrestuan 3 shtetase të tjera kineze L. M., 55 vjeçe, L. Ch., 49 vjeçe dhe Zh. H., 47 vjeçe, për veprën penale ‘Prostitucioni’”, njofton policia.

Në kuadër të operacionit, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni” edhe 2 shtetase të tjera kineze, por dhe 8 shtetas shqiptarë, që besohet të ishin klientë në vilë.

Policia po ashtu ka shpallur në kërkim një 46-vjeçare me inicialet K.P., banuese Mbretërinë e Bashkuar, e dyshuar për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.

“Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi rezultoi se shtetaset kineze kishin përshtatur një vilë dykatëshe, të marrë me qira, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, nga shtetasja angleze, në bashkëpunim me 46-vjeçaren kineze dhe e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e prostitucionit. Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet pasi dyshohet se ka shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari që dyshohet se qendrën e ka jashtë vendit, nga ku kryheshin  telefonatat nëpërmjet call centerit”, sqaron më tej policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash në euro dhe dollarë, disa karta banke dhe karta telefoni etj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos