
Të paktën 66 ushtarë të Republikës Demokratike të Kongos janë dënuar me vdekje pasi janw etiketuar frikacakë, duke u shpallur fajtorw pwr kryengritje dhe refuzim të zbatimit të urdhrave, pas një gjyqi ushtarak, shkruan A2 CNN.
Sipas BBC, vendimi u dha nga një gjykatë ushtarake në Walikale, në provincën e Kivu-së së Veriut, ku u gjykuan gjithsej 71 ushtarë. Katër prej tyre u shpallën të pafajshëm, ndërsa një tjetër u dënua me 10 vite burg.
Sipas ushtrisë, procesi gjyqësor synon të përmirësojë disiplinën mes trupave, në një kohë kur forcat qeveritare po përballen me grupe të armatosura në lindje të vendit.
Ushtarët u arrestuan më 20 tetor në Walikale, pasi dyshohet se braktisën pozicionet e tyre dhe u larguan gjatë përleshjeve me luftëtarët e Frontit për Rindërtimin e Kombit (FRN), një koalicion rebel grupimesh të armatosura.
Luftimet në këtë rajon vijojnë prej dekadash, ndërsa fushata e ushtrisë kongoleze kundër grupeve të armatosura është penguar vazhdimisht nga mungesa e disiplinës dhe organizimit brenda radhëve të saj.
Qeveria e Kongos ka akuzuar vazhdimisht Ruandën për mbështetjen e rebelëve të M23, pretendime që janë mohuar nga Kigali dhe grupi rebel. Ushtria është kritikuar gjithashtu për mungesë profesionalizmi, ndërsa ushtarët kanë ngritur shqetësime për pagat e ulëta dhe pajisjet e pamjaftueshme.
Muajin e kaluar, 27 ushtarë të tjerë u dënuan me vdekje për akuza të ngjashme, pasi dyshohet se u tërhoqën nga fronti gjatë përleshjeve me rebelët.
Në mars 2024, Republika Demokratike e Kongos hoqi moratoriumin 20-vjeçar mbi dënimin me vdekje, duke argumentuar se masa ishte e nevojshme për të ndëshkuar tradhtarët brenda ushtrisë. Vendimi u kritikua nga organizatat e të drejtave të njeriut, ndërsa deri më tani nuk është kryer asnjë ekzekutim formal.
Sipas të dhënave të përmbledhura nga transmetuesi francez RFI, që nga fillimi i vitit 2025, të paktën 507 ushtarë janë dënuar, 381 prej tyre me vdekje.
Në tetor 2025, ish-presidenti Joseph Kabila u dënua me vdekje në mungesë për krime lufte dhe tradhti. Ai i ka mohuar akuzat dhe nuk u paraqit në gjykatë. Kabila është emëruar më pas si udhëheqës i FRN-së. (A2 Televizion)