Mediat italiane kanë publikuar foto të Kevin Muharremit, shqiptarit të vrarë me tre të shtëna me armë zjarri në Montecalvoli Itali, raporton A2CNN.
Një hetim ka nisur në lidhje me krimin, por sipas informacioneve të deritanishme dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye banale.
Një sherr në një bar në Capanne, duket se i ka kushtuar jetën të riut me origjinë shqiptare. Miq dhe të afërm të viktimës nuk kanë pranuar të flasin për mediat.
I ndjeri përshkruhet si një djalë punëtor dhe pa precedent penalë. Ai punonte në një lavazh makinash, punë me të cilën siguronte jetesën.
Komuniteti i Santa Maria a Monte dhe Fucecchio është i tronditur nga ngjarja e rëndë, e ndodhur në një zonë qendrore dhe zakonisht të qetë, ndërsa pritet që hetimet e Autoritetit Gjyqësor të hedhin dritë mbi këtë atentat të dyshuar si i paramenduar. (A2 Televizion)