
Gjykata e Tiranës ka vendosur detyrim paraqitje për të 14 personat e arrestuar pas protestës së opozitës më 10 shkurt në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
A2 CNN raporton se prokuroria kishte kërkuar 2 arreste me burg, 3 arreste në shtëpi dhe për 9 prej tyre detyrim paraqitje.
Ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës dolën për masë sigurie shtatë persona të tjerë. Ata ishin të gjithë të mitur dhe ndaj tyre gjykata vendosi masën e sigurisë detyrim për paraqitje.
Të miturit që kishin përfunduar në qeli për gjashtë vepra penale: “goditja për shkak të detyrës”, “plagosja e rëndë me dashje”, “prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Nga protesta 10 shkurtit e opozitës, u lënduan nga molotovët 19 policë në krye të detyrës, një qytetar si dhe deputeti demokrat, Bledion Nallbati.
(A2 Televizion)