Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është përgjegjësi e këtij organi, por një tregues domethënës i nivelit të demokracisë në vend. Këtë deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçajt, gjatë një konference për mediat kur u pyet nga A2CNN nëse trupa kushtetuese ka menduar që të japë dorëheqjen në bllok për të rivendosur autoritetin moral në vend, në kushtet kur Kuvendi nuk zbaton vendimet e saj, si në rastin e mandatit të Olta Xhaçkës.
“Gjykata shërben dhe duhet të jetë funksionale për të mbajtur rendin kushtetues. Zbatimi i vendimeve është detyrim për të gjithë organet, nuk është detyrim i gjykatës. Ka një sërë mekanizmash, qoftë në ligjin tonë organik, qoftë në Kodin Penal, qoftë në specifikimet e Këshillit të Ministrave për zbatimin e vendimeve. Nëse një organ zgjedh të mos zbatojë ky është një indikator tjetër për nivelin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës në vendin tonë”, u shpreh Zaçaj.
Një tjetër çështje që ka krijuar ngërç dhe përplasje institucionale është dhe mandati i saj, ku Presidenti dhe Gjykata e Lartë kanë kërkuar nisjen e procedurave për zëvendësimin e kryetares. Vetë Zaçaj në këtë përplasje institucionale i jep të drejtë Kreut të Shtetit, por shton se çështja nuk është zgjidhur ende.
“Mënyra se si ka vepruar Presidenti në rastin konkret është mënyra e duhur, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë këtë çështje dhe do të vlerësojë të gjitha çështjet e parashtruara nga organi i emërtesës, në përputhje me parimet kushtetuese, si edhe vetë jurisprudencën kushtetuese. Aktualisht çështja është regjistruar si e tillë dhe është në pritje të shqyrtimit paraprak të saj”.
E pyetur nëse ka informacion që ndaj trupës kushtetuese të jetë kryer përgjime nga ana e SPAK, Zaçaj tha se në mungesë të informacionit, i ishte drejtuar Altin Dumanit.
“Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje mesa është shkruar për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Ende nuk kemi marrë përgjigje”.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese sqaroi se nuk është informuar nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo formë tjetër ndikimi të papërshtatshëm, teksa në media ishte përfolur për presione në lidhje me vendimin për çështjen SKY-ECC. (A2 Televizion)