Parlamenti u vu sërish në rrethim nga policia, gati 1 orë para nisjes së seancës. Fillimisht, protestuesit u përballën me policinë në gardhin e vendosur pranë qendrës. Megjithatë, aty nuk u shënuan incidente, ndaj u zhvendosën drejt Ministrisë së Brendshme.
Aty i priste një tjetër mburojë, me efektivë të pajisur me mjetet e duhura. Pikërisht aty u regjistrua edhe ndalimi i parë i një prej tubuesve.
Mungesa e një hapësire për të kaluar policinë bëri që protesta të vijojë në Rrugën e Elbasanit, por edhe aty blutë kishin marrë masa të shtuara, shkruan A2 CNN. Nuk mungoi tentativa për t'i kaluar, çka solli dhe reagimin e policisë.
Në largim, protestuesit zhvendosën edhe disa prej kazanëve të mbetjeve. Ndjekja vijoi përtej Lanës, drejt Piramidës, ku u arrestuan protestues të tjerë, duke garantuar lëvizjen e lirë të mjeteve dhe makinave. Katër protestues u shoqëruan në komisariat.
Ndërsa në rrethimin e Parlamentit zhvillohej protesta, Gjykata e Tiranës liroi 12 të ndaluarit gjatë tubimit të së hënës pranë shkollës “Qemal Stafa”. (A2 Televizion)