Vodhën me dhunë xhiron ditore në dy pika karburanti, shpallet në kërkim një nga dy autorët

Nga A2 CNN
17 Shtator 2026, 13:07 | Kronikë

Vodhën me dhunë xhiron ditore në dy pika karburanti, shpallet

Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim një nga dy autorët e vjedhjes me dhunë të xhiros ditore në dy pika karburanti. Ndërkaq vijon puna për identifikimin e autorit tjetër.

"Blutë" po ashtu kanë sekuestruar një automjet tip “Toyota” dhe një motomjet, të dyshuar se janë përdorur gjatë ngjarjes. Në dy pikat e karburantit u vodhën 18.300 dhe 38.600 lekë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Dibër, organizuan punën dhe kryen veprime të shpejta hetimore, duke bërë të mundur identifikimin e njërit prej autorëve të dyshuar. Si rezultat, u shpall në kërkim shtetasi A. H., 32 vjeç, banues në Bulqizë, i cili dyshohet se, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, rreth orës 00:54, ka shkuar në dy pika karburanti, në Bulqizë dhe Fushë-Bulqizë, ku u kanë vjedhur me dhunë punonjësve të këtyre pikave xhiron ditore (18.300 dhe 38.600 lekë).

Në vijim të veprimeve dhe kontrolleve të kryera në zonë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan automjetin tip “Toyota”, pa targa, si dhe një motomjet, të dyshuar se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së vjedhjeve. Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personit tjetër të përfshirë në ngjarje”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos