Zgjedhjet e 11 majit, Prokuroria e Lezhës nis hetim për parregullsi në votime

Nga Senad Nikshiqi
17 Shtator 2026, 12:24 | Kronikë

Zgjedhjet e 11 majit, Prokuroria e Lezhës nis hetim për parregullsi

Prokuroria e Lezhës ka nisur një hetim për dyshime mbi parregullsi gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit 2025 në qarkun e Lezhës.

Procedimi penal mban numrin 603 dhe është regjistruar në vitin 2026, pas një referimi të bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në fokus të hetimit janë dyshimet për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, e parashikuar nga neni 327/a i Kodit Penal.

Për të verifikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi i votimit, organi i akuzës i është drejtuar KQZ-së me kërkesë për sekuestrimin dhe vënien në dispozicion të dokumentacionit zgjedhor për 12 qendra votimi në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin.

Në Bashkinë Lezhë, hetimi përfshin QV-të 0686/00, 0697/00, 0697/01, 0704/00, 0705/01, 0712/00, 0717/00, 0749/00 dhe 0749/01.

Në Mirditë janë përfshirë QV 0808/00 dhe 0891/00, ndërsa në Kurbin QV 0847/01.

Prokuroria kërkon kopje të njehsuara të listave të zgjedhësve, ku janë evidentuar personat që kanë marrë pjesë në votim, së bashku me nënshkrimet e tyre.

Këto materiale pritet të analizohen për të verifikuar nëse gjatë procesit ka pasur probleme me identifikimin e zgjedhësve, parregullsi në nënshkrime apo raste ku një person mund të ketë votuar më shumë se një herë.

Hetimi është në fazën e verifikimit të dokumentacionit dhe, deri në këtë pikë, bëhet fjalë për dyshime që po hetohen nga Prokuroria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos