
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin “Brotherhood”, duke sekuestruar rreth 57 kg lëndë narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri automatike.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, shkruan A2.
Shërbimet e Policisë ndaluan dhe kontrolluan automjetin e dyshuar tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonin shtetasit Fioraldo Meminaj dhe Lirim Likaj. Nga kontrolli i automjetit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e përgatitur për shitje.
Në vijim të operacionit dhe veprimeve procedurale, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Fioraldo Meminaj, banues në fshatin Trevllazër, Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi tjetër kanabisi.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Lirim Likaj, banues në fshatin Mavrovë, Vlorë, u gjet dhe u sekuestrua 1 armë zjarri automatike, model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë luftarakë.
(A2 Televizion)