Tentativë vrasje, trafik droge dhe korrupsion, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim grupin e Suel Çelës

Nga Igli Çelmeta
22 Shkurt 2026, 13:19 | Kronikë

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 21 persona, mes të cilëve edhe Suel Çelën. Prokuroria e Posaçme njofton zyrtarisht se 21 të pandehurit akuzohen për veprat penale vrasje të mbetura në tentativë, trafik droge dhe korrupsion, të kryera në kuadër të organizatës dhe grupit të strukturuar kriminal.

Mes të pandehurve, janë edhe disa emra të njohur, si ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, ish-shefi i krimeve Dedan Gjoni. Sipas SPAK nga hetimet është zbuluar se organizata kriminale e drejtuar nga Suel Çela ka pasur aktivitet jo vetëm në Shqipëri, kryesisht në qytetin e Elbasanit, por edhe në shtete të tjera.  

Kjo organizatë dyshohet se ka kryer trafikim të sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, duke gjeneruar miliona euro fitime.

Sipas SPAK hetimet e kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të drejtuara nga prokurorët e posaçëm kanë evidentuar një strukturë të organizuar kriminale me veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, e dyshuar për përfshirjen në tentativë vrasjeje, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të llojit kokainë si dhe raste të korrupsionit aktiv dhe pasiv në sistemin e drejtësisë dhe sektorin privat.

Ngjarjet objekt hetimi përfshijnë episode të ndodhura në Elbasan si edhe raste të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Ekuador, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos