“Nuk duroj dot më! Më vjen keq që iu kam mërzitur, por më besoni që nuk iu kam koritur kurrë. Faleminderit për çdo gjë që keni bërë për mua!”
Këto janë fjalët e shkruara në letrën e lamtumirës që Xhuana Nikollaj i la familjes së saj para se të vetëflijohej, një mesazh i shkurtër, por i mbushur me dhimbje dhe falënderim për njerëzit më të afërt të saj.
A2 CNN ka mësuar detaje të reja nga hetimet lidhur me vetëflijimin e të resë nga Lezha. E gjithë ngjarja ka ndodhur në Tiranë. Më datë 9 mars, ish-bashkëshorti i të ndjerës, Eraldo Fizi, ka shkuar pranë banesës së Xhuana Nikollajt, te ish-fusha e aviacionit në Tiranë.
Xhuana kishte pak kohë që jetonte në kryeqytet në një apartament me qira bashkë me një shoqe të saj. 25-vjeçarja, e diplomuar për drejtësi, kishte nisur edhe punë për të përballuar jetesën në Tiranë pas ndarjes nga Eraldo Fizi. Ajo priste të niste edhe një punë të re në profesionin për të cilin ishte diplomuar dhe ishte shumë e lumtur për mundësinë që po i jepej.
Familjarët e të resë, kryesisht motrat e saj, ishin në dijeni të situatës së saj me ish bashkëshortin dhe kjo ishte një nga arsyet pse ata kishin vendosur që Xhuana të lëvizte drejt Tiranës ku fillimisht ka jetuar me motrën e saj e më pas ka jetuar me shoqen e saj.
Familjarët e Xhuanës kanë qenë gjithmonë mbështetës ndaj saj duke e ndihmuar dhe për situatën që i kishte ndodhur pas martesës. E reja gjithmonë i ishte ankuar familjarëve të saj, jo për ish bashkëshortin, por për familjen e tij. Sipas familjarëve e reja pretendonte që marrëdhënia e saj funksiononte si duhej deri në momentin që ndërhynin familja e ish-bashkëshortit. Ndër të tjera familjarët kanë treguar në polici që ajo nuk ishte shtatzënë dhe se deri në momentin që ka takuar Fizin në Tiranë ishte mjaft e lumtur për jetesën e re.
Më 9 mars, ish-bashkëshorti i saj i shkon pranë pallatit. Xhuana zbret poshtë bashkë me shoqen e saj, aty ku ndodhej edhe Eraldo Fizi. Shoqja, e shqetësuar për të, zbriti bashkë me të, qëndroi pak minuta dhe më pas u ngjit në banesë. Por për pak minuta Xhuanën, ish-bashkëshorti i saj e merr me vete.
Dyshohet se gjatë kohës që ka qëndruar me të, Xhuana është dhunuar barbarisht nga 25-vjeçari Eraldo Fizi, vërtetuar edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore që e reja ishte dhunuar. Në kushte të rënduara psikologjike dhe e dhunuar, e reja është kthyer në banesë rreth orës 3 të mëngjesit me shenja të shumta nga dhuna, duke e pasur të pamundur të shkonte në punë me shenja dhune.
Në mëngjes, shoqja me të cilën ndante shtëpinë është nisur për në punë. Rreth orës 7:30 të mëngjesit, pasi shoqja është larguar, dyshohet se Xhuana ka konsumuar edhe fostoksinën dhe ka nisur të shkruajë letrën e lamtumirës për familjen e saj.
Xhuana kishte edhe tre motra të tjera. Pasi ka kryer aktin e vetëflijimit, ajo ka telefonuar motrën e saj që jetonte në Angli. E shqetësuar, motra ka telefonuar menjëherë shoqen e saj dhe pronarin e banesës me qira. Ky i fundit, sapo është njoftuar, ka lajmëruar menjëherë ambulancën dhe policinë.
Policia po heton edhe se si Xhuana e siguroi fostoksinën, pasi sipas të dhënave ajo kishte qenë gjatë gjithë kohës me ish-bashkëshortin e saj deri në orën 3 të mëngjesit, kur ishte kthyer në banesë. Policia po heton se kush ia dha fostoksinën të resë.
Hetuesit kanë ngritur edhe dyshime të tjera mbi 25-vjeçarin Eraldo Fizi, i cili ndodhet në arrati. Sipas deklarimeve të familjarëve dhe shoqeve të saj në polici, Xhuana Nikollaj nuk vuante nga depresioni dhe nuk ishte mjekuar asnjëherë. E reja dhe Eraldo Fizi ishin dashuruar që në gjimnaz në Lezhë dhe në verë e vitit 2025 u martuan, martesë që rezultoi fatale për të renë duke e bërë të largohet nga jeta në lule të rinisë.
Ndërkohë ketë të premte në orën 18:00, në qytetin e Lezhës janë mbajtur homazhe në nder të 25-vjeçares, ku Dhjetëra qytetarë, të afërm, miq dhe të rinj u mblodhën për të ndezur qirinj dhe për të vendosur lule në kujtim të saj, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me familjen dhe kërkuan që raste të tilla të marrin përgjigje të plotë nga drejtësia. (A2 Televizion)