Vettingu në Policinë e Shtetit, i kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), edhe pse vijon prej vitesh, ka rezultuar me pak rezultate konkrete. Procesi u inicua në vitin 2017 nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili ishte edhe hartuesi fillestar i ligjit për vettingun në polici. Por teksa janë ndryshuar 6 ministra dhe jemi tek i shtati që në momentin kur ky proces filloi, vettingu në polici ende nuk është mbyllur.
Fillimisht parashikohej që e gjithë forca policore, rreth 12 mijë punonjës, të kalonte në këtë proces verifikimi. Por në vitin 2022 ligji u ndryshua, me argumentin për uljen e kostove, duke e reduktuar numrin e subjekteve që do t’i nënshtroheshin vettingut në rreth 300 drejtues të lartë, përfshirë drejtues departamentesh, drejtorë policie dhe drejtues komisariatesh.
Ndryshimet ligjore e lanë procesin për një kohë në pritje. Ai rifilloi në fund të vitit 2023 dhe vijon edhe sot, por me ritme të ngadalta dhe pa rezultate domethënëse.
Qeveria deklaroi se përmes vettingut do të “pastronte” Policinë e Shtetit, por shifrat tregojnë një panoramë tjetër. Deri më sot janë vetëm dy oficerë policie të shkarkuar nga procesi i vettingut, Bedri Hasanaj dhe Theodhori Gravani.
Ky i fundit e çoi çështjen në gjykatën administrative, ku fitoi procesin dhe u rikthye sërish në Policinë e Shtetit në një post drejtues, duke vënë në diskutim efektivitetin e vettingut, pasi vendimet mund të zhbëhen përmes proceseve gjyqësore.
Një tjetër largim nga procesi ishte ai i Vehbi Bushatit, i cili u tërhoq vetë dhe nuk iu nënshtrua vettingut.
Nga fundi i vitit 2023 deri më sot, mbi 50 subjekte kanë kaluar me sukses procesin e verifikimit, ndërsa vetëm dy janë shkarkuar, dhe edhe këto raste janë shoqëruar me rikthime apo largime vullnetare.
Përveç rezultateve të pakta, procesi është kritikuar edhe për mungesë transparence. Seancat po zhvillohen me dyer të mbyllura, ndryshe nga sa ishte deklaruar në fillim, kur u tha se çdo seancë do të zhvillohej në prani të mediave.
Ndërkohë, hetime të SPAK kanë nxjerrë në dritë raste drejtuesish policie të dyshuar për lidhje me krimin, si Oltion Bistri dhe Henrigert Mitri dhe të tjerë ndërsa procesi i vettingut i drejtuar nga AMP deri më tani i ka kaluar drejtuesit e verifikuar pa probleme, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e këtij mekanizmi.
(A2 Televizion)