Kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi, ka deklaruar gjatë seancës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, teksa foli për momentet kur ka kërkuar shkarkimin e magjistratëve.
I pyetur nga anëtari i KLP-së se si ndihet kur kërkon largimin nga detyra të kolegëve të tij, Xholi pranoi se kjo është pjesa më e vështirë e profesionit të tij.
“Kjo është ndër pyetjet më të vështira dhe më të sikletshme. Ne kërkojmë edhe burgime të përjetshme dhe nuk kam problem, por kur vjen puna të kërkoj shkarkimin e kolegëve që e di si janë përballur me kriminelë dhe zyrtarë të lartë, kjo më dhemb”, tha ai.
Xholi theksoi se, ndonëse është i bindur që shkeljet e konstatuara justifikonin kërkesën për shkarkim, situata mbetet e rëndë për ndërgjegjen e tij.
“Nuk jam krenar për ato kërkesa. Ata kanë dhënë kontribut të madh. T’i nxjerrësh në rrugë, të pambrojtur përballë grupeve kriminale, kjo është brenga që mbaj”, u shpreh ai. (A2 Televizion)