Lokalin e ktheu në "lloto", arrestohet 25-vjeçari, procedohen babai dhe i vëllai policë

Nga A2 CNN
22 Mars 2025, 16:09 | Kronikë

Lokalin e ktheu në "lloto", arrestohet 25-vjeçari,

Dy efektivë policie janë proceduar në gjendje të lirë për “shpërdorim detyre”, pasi nga hetimet disa mujore Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rajonin Elbasan-Korçë, zbuloi se një anëtar i familjes së tyre e kishte kthyer bar-kafen që zotëronin në bazë për lojërat e fatit.

AMP sqaron se “pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, arrestoi në flagrancë shtetasin F. D., 25 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore etj”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara’”.

Ndërkohë, në gjendje të lirë u proceduan për "shpërdorim detyre" punonjësit e policisë, që janë vëllai dhe babai i 25-vjeçarit.

Efektivët e proceduar janë, inspektor G. D., 28 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Përrenjas dhe i atit, inspektor H. D., 63 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Peqin.

Sa i përket djalit 25-vjeçar të familjes që përfundoi pas hekurave, policia sqaron se atij iu sekuestrua edhe një armë e ftohtë dhe një shumë e konsiderueshme monetare.

Arrestimi i shtetasit F. D. u krye pasi nga kontrolli i biznesit Bar Kafe në pronësi të familjes, i cili rezultonte i palicensuar, u siguruan prova dhe fakte që ata e kishin përshtatur ambientet e këtij biznesi për organizimin e palejuar të lojërave të fatit. Nga kontrolli i ushtruar në biznesin Bar-Kafe, u sekuestrua një armë e ftohtë e llojit thikë, një telefon celular, si dhe shumat monetare prej 612,700 lekë dhe 550 euro të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm”, sqaron AMP. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos