Lulzim Berisha në burg: S’e njoh Luftar Reçin, asnjë lidhje me vrasjen e Klodian Saliut

Nga Xhensila Kodra
20 Mars 2025, 15:40 | Kronikë

Të enjten Lulzim Berisha u kthye në të njëjtën godinë, dikur seli e Gjykatës për Krimet e Rënda, ku më shumë se një dekadë më parë u vulos një dënim me burg përjetë ndaj tij. Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë arrest me burg për ish-kreun e Bandës së Durrësit.

Në një proces, ku është i bashkëpandehur me gjashtë të tjerë, përfshi Plaurent Derivshajn dhe Emiliano Shullazin, Berisha po gjykohet si bashkëpunëtor në ekzekutimin e Klodian Saliut, 26 shkurtin e vitit 2005 në aksin Durrës-Tiranë. Në të njëjtin hetim, ai u dyshua edhe për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame, çështje që u pushua më pas me kërkesë të SPAK. Gjatë seancës Berisha përjashtoi veten nga vrasja e Saliut. Ai i cilësoi të pavërteta thëniet e të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi.

"Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt më dënoni sa të doni. Njëlloj siç më ra akuza për vrasjen e Vajdin Lamajt, njëlloj do të bjerë edhe kjo" është shprehur Berisha.

Argumentet në favor të klientit i shprehu para medias në dalje të SPAK avokati Detar Hysi.

Lulzim Berisha ka dhe një hesap të vjetër me drejtësinë. Janë gati 6 vite burg të pakryera prej tij nga dënimi i marrë si drejtues i bandës së Durrësit, përgjegjëse për disa ngjarje të rënda penale. Ai u dënua përjetë në Shkallën e Parë dhe Apelin e Krimeve të Rënda, por Gjykata e Lartë në korrik 2014 e zbuti dënimin në 25 vite.

Dy vjet më vonë, pasi kishte kryer gati 19 vite dënim, Apeli i Durrësit pranoi kërkesën e tij për lirim të parakohshëm dhe lënien në Shërbim Prove.

Një nga dokumentet në të cilat mbështeti pretendimin për lirim ishte një shkresë e firmosur nga ish-kryebashkiaku i kohës i Durrësit, Vangjush Dako, i cili thoshte se do tapunësonte Berishën në një nga drejtoritë e Bashkisë. Në dhjetor 2021, teksa Berisha ishte shpallur në kërkim nga drejtësia, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit, duke detyruar kështu rikthimin në qeli të Berishës për vuajtjen e viteve të mbetura të dënimit me burg.

Ish-kreu i Bandës së Durrësit u ekstradua të martën në mbrëmje nga Spanja, ku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2023. Për një 1 vit e 3 muaj qëndrim në shtetin spanjoll, ku u gjet më një pamje të jashtme të transformuar dhe me një kartë identiteti bullgare false, ish-kreu i bandës së Durrësit bëri një betejë ligjore për mosekstradim në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos