Këto janë dy armët që policia i sekuestroi gjatë arrestimit Ragip Gilës, autorit të masakrës në Shkodër me dy të vrarë e dy të plagosur. Një pistoletë dhe një automatik “MP5” model izraelit. Pikërisht kjo armë u përdor edhe nga 29-vjeçari për të kryer krimin, shkruan A2 CNN.
Të dyja armët e zjarrit janë dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore për t’iu nënshtruar një ekspertize të detajuar për të zbuluar nëse janë përdorur ose jo në ndonjë ngjarje tjetër kriminale, apo për të përfituar në to shenja gishtash që mund të ndihmojnë hetuesit për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Të premten, 29-vjeçari Gila doli para gjykatës së Shkodrës ku iu komunikua edhe masa e sigurisë, ajo e arrestit në burg pa afat. Ndryshe nga sa deklaroi në polici pas arrestimit se objektiv të atentatit kishte Erogen Vason që mbeti i plagosur, në sallën e gjyqit autori nuk dha asnjë deklarim mbi rrethanat apo motivet e krimit.
Përveç akuzës më të rëndë, atë të vrasjes dhe plagosjes në rrethana cilësuese, ndaj Gilës janë ngritur edhe akuzat e armëmbajtjes pa leje, grabitjes së pronës me dhunë dhe dëmtimeve të tjera të kryera me dashje. Nga breshëria e plumbave në një lokal në qendër të Shkodrës mbetën të vrarë Liridon Kraja dhe Armando Pali. Ndërsa u plagosën Erogen Vaso i njohur edhe me mbiemrin Brajoviç, si dhe kamerierja 25-vjeçare, Meri Kacerri.
Grupi hetimor ka dyshime të forta se vrasja ka ndodhur për hakmarrje dhe se Ragip Gila, i cili kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu të jetë paguar nga persona të tjerë. Gjatë kontrolleve që policia ushtroi në lagjen Kiras deklaroi se gjetën bazën e armëve, ndërsa ka shpallur në kërkim dy persona, Barush Bregun, një person i afërt me fisin e Licëve, si dhe një 17-vjeçar. (A2 Televizion)