Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të zgjatur me tre muaj afatin e izolimit në paraburgim të Marklen Hakës, një prej të njohurve si “të fortët” e Niklës në Fushë Krujë.
34-vjeçari i njohur edhe me identitetin Marklen Aliu qëndron në burg prej shtatorit të vitit të shkuar. Ai u arrestua nga operacioni “Revanshi”, ndërsa po hetohet nga SPAK për tentativën e vrasjes së Durim Bamit, përgatitjen e kushteve për vrasjen e tij, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Në sallën e gjyqit SPAK kërkoi më shumë kohë, për nevojën e kryerjes së disa veprimeve hetimore. Me gjithë kundërshtinë e avokatit të Hakës, Gjykata vendosi të zgjasë kohën e qëndrimit të paraburgim të Hakës me 3 muaj të tjerë, që nisin të llogariten nga 6 shtatori.
Referuar hetimit të SPAK dhe të dhënave nga komunikimet në SKY ECC, në vitin 2020 Marklen Haka është angazhuar në përgatitjet për vrasjen e Durim Bamit. Në këtë rast dyshohet se porositës dhe financues ishte ish-deputeti socialist, Arben Ndoka, i shpallur në kërkim, ndërsa të interesuar për eliminimin e Bamit ishin edhe palë të tjera.
Në një total prej 12 personash të përfshirë në role të ndryshme, Haka dyshohet se siguronte informacione për lokalizimin e Bamit, informacione që ia përcillte Emiliano Shullazit. Ndërsa në atentatin e dështuar ndaj Durim Bamit 4 nëntorin e vitit 2020 tek Ura e Tapizës, Marklen Haka ka pasur rolin e vëzhguesit në zonën Fushë-Krujë dhe informimin e aktorëve të tjerë të përfshirë.
Gjatë planifikimit për këtë ngjarjes, porositësi i kishte premtuar 500 mijë euro dy ekzekutorëve për eliminimin fizik të Durim dhe Valter Bamit.
Në të njëjtën seancë gjyqësore me Marklen Hakën, Gjykata e Posaccme vendosi të zgjasë me tre muaj të tjerë qëndrimin në paraburgim edhe të Henerigert Mitri, ish-drejtori i Policisë së Lezhës, i arrestuar po për llogarit të operacionit “Revanshi”.
Pas gati 4 muajsh në arrati, Mitri u vetëdorëzua në polici në shtator të vitit të kaluar. Ish-zyrtari i policisë qëndron në paraburgim si i dyshuar për “kultivim të narkotikëve”, “grup kriminal”, “korrupsion”, “organizim të lojërave të fatit kundër ligjit” dhe “shpërdorim të detyrës”. (A2 Televizion)