Policia ka publikuar pamjet e operacionit “Pietari”, në kuadër të së cilit janë ekzekutuar 9 nga 11 urdhërarreste të lëshuara nga SPAK, pas hetimeve të përbashkëta me autoritetet finlandeze që zgjatën dy vite.
Në kuadër të këtij operacioni u angazhuan rreth 110 efektivë të policisë së Shtetit, teksa në aksion u përfshinë Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, si dhe strukturat e Policisë në qarqet Tiranë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër.
Nga 11 masat e sigurisë të lëshuara, në bashkëpunim me BKH-në, janë ekzekutuar 9 prej tyre, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e një shtetasi tjetër brenda territorit shqiptar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu 8 automjete, telefona celularë dhe shumë dokumente me vlerë për hetimin, kryesisht në gjuhën finlandeze, të cilat konsiderohen prova të rëndësishme që do të shërbejnë për vijimin e hetimeve të mëtejshme penale dhe hetimit pasuror.
Në kuadër të këtij operacioni u goditën 4 grupe kriminale me drejtues shqiptarë, nga Vlora, Berati dhe Kuçova të cilët bashkëpunonin për trafikun e drogës, kryesisht asaj sintetike.
Në Finlandë 55 persona, anëtarë të këtij grupi rezultojnë të dënuar, 10 prej tyre shqiptarë, pjesa tjetër finlandezë, polakë, rumunë, aziatikë e afrikanë. Grupeve të goditura nga SPAK dhe autoritetet në Helsinki u janë sekuestruar rreth 300 kg drogë, e ndarë në 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis. (A2 Televizion)