Prokuroria e Tiranës kërkon burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të akuzuar për porositjen e vrasjes së kryekomisarit Artan Cuku, në vitin 2017, raporton A2 CNN. Jambelli akuzohet se është porositësi i vrasjes, ndërsa Leci ishte ndërmjetësi mes tij dhe Mikel Shallarit, ekzekutorit të vrasjes. Ky i fundit pranoi u arrestua dhe pasi pranoi të kthehej në bashkëpunëtor të drejtësisë, u dënua për vrasjen me 10 vite burg.
Shallari, asokohe vetëm 24 vjeç, tha se i ishte premtuar një pagesë 20 mijë euro për vrasjen dhe se pas krimit do të sistemohej prej tyre në Gjermani. Shallari rrëfeu se pas ngjarjes kishte marrë vetëm një shumë prej 2 mijë euro dhe disa shuma të vogla nga 200-300 euro të dërguara nga Leci e Jambelli nga jashtë Shqipërisë.
Më 8 prill 2017, rreth orës 20:10, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku, u vra me armë zjarri në hyrje të pallatit ku banonte në Tiranë.
Hetimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda konkluduan se vrasja ishte kryer në bashkëpunim dhe për shkak të detyrës së tij si drejtues policie, duke e klasifikuar si "vrasje e punonjësve të policisë së shtetit", sipas neneve 79/b dhe 25 të Kodit Penal. Jambelli, i arrestuar më parë nga Cuku për një vrasje në Vlorë, u lirua më pas nga gjykata dhe dyshohet se urdhëroi vrasjen si hakmarrje.
Më 9 prill 2019, Artan Cuku u shpall "Dëshmor i Atdheut", dhe bashkëshortes së tij iu dorëzua titulli nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Në vitin 2022, Pallati i Kulturës në Kamëz u emërua "Artan Cuku" dhe ai u shpall "Qytetar Nderi" i këtij qyteti. (A2 Televizion)