Më shumë rol në rend dhe siguri. Drafti i ri, Policia Bashkiake mbështetje për Policinë e Shtetit

Nga Igli Çelmeta
23 Janar 2026, 09:35 | Kronikë

Policisë Bashkiake pritet t’i shtohen kompetencat, sipas projektligjit të ri për këtë institucion, dokument që A2 CNN e ka siguruar dhe lexuar.

Sipas draftit, Policia Bashkiake do të ketë një rol më të zgjeruar në fushën e rendit dhe sigurisë publike, duke u shndërruar në një strukturë mbështetëse për Policinë e Shtetit. Policia bashkiake do të jetë më e angazhuar për rendin dhe sigurinë prandaj edhe drejtori i përgjithshëm i policisë bashkiake nuk do të jetë në varësi të pushtetit vendor, por do të kalojë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Ndryshime parashikohen edhe në mënyrën e organizimit. Struktura e Policisë Bashkiake pritet të ndërtohet sipas një modeli të ngjashëm me atë të Policisë së Shtetit në fushën e rendit, me hierarki dhe ndarje funksionale më të qarta. Me drejtorin e përgjithshëm në krye dhe me drejtorët për çdo bashki.

Sipas burimeve, qëllimi i këtyre ndryshimeve është rritja e efikasitetit në garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe një reagim më i shpejtë ndaj problematikave në territor, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit.

Projektligji pritet të diskutohet në vijim në Kuvend, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të reflektohen këto ndryshime në praktikë dhe në raportin mes pushtetit vendor dhe atij qendror. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos