Një ditë pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi zytarisht praninë e bakterit të salmonelës në ngarkesë prej 18 ton mish pule të importuar nga Brazili dhe të hedhur në tregun vendas, Policia e Tiranës shpalli në kërkim administratorin e kompanisë importuese.
Arben Goxha dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “importimit, prodhimit, shitjes dhe ruajtjes së ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Përveç hedhjes në treg të produktit të infektuar, ai dyshohet se ka paraqitur edhe disa fatura fiktive, duke vështirësuar gjurmimin e mishit të dëmshëm për konsumatorët. Policia ka proceduar penalisht edhe vëllanë e Arben Goxhës, po ashtu administrator i një kompanie të përpunimit të mishit, për dyshimin e importimit të produkteve ushqimore që kanë në përmbajtje bakterin e salmonelës.
Në hetim janë marrë edhe 3 inspektorë të AKU-së, Gëzim Hushi, Sada Lufta, Aldo Sinjari. Ata akuzohen për “shpërdorim të detyrës”, pasi në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.
Përmes një reagimi zyrtar, AKU njoftoi të premten se pas analizave të bëra në ISUV më 21 mars ishte identifikuar bakteri salmonelë në ngarkesën e ardhur nga Brazili dhe se po koordinonte gjurmimin dhe bllokimin, por nuk saktësoi sasinë e hedhur, apo sasinë e identifikuar dhe bllokuar, nëse ka të tillë.
Ministria e Shëndetësisë nuk pati asnjë reagim në lidhje me këtë situatë dhe as Instituti i Shëndetit Publik për raste të identifikuara të infektimit nga bakteri.
Salmonela është një bakter që kontaminon kryesisht mishin, qumështin dhe vezët dhe më pas, personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, dhimbje barku dhe temperaturë. Infektimi nga ky bakter mund të kalojë vetëm më simptoma, por nuk mungojë rastet kur mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin. (A2 Televizion)