Shtyhet për 30 minuta seanca për verifikimin e masës së arrestit për Ilir Beqajn, dhe 5 personat e tjerë.
Ish ministri i Shëndetësisë i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritur ndaj tij, teksa përmes avokatit ka kërkuar të lihet i lirë me garanci pasurore 5 mln lekë.
Garanci pasurore kundrejt lirisë ka ofruar edhe Ermal Kurtuaj, duke përmendur vlerën e përftuar nga shitja e një automjeti "Audi".
Në lidhje me restorantin, që sipas SPAK dyshohet si pasuri e fshehur e Beqajt, ish-ministri ka pretenduar se aty ka qenë ish-aksionere bashkëshortja e tij. Sipas Beqaj pikëtakimi mes ish-aksionerit kryesor dhe familjares së tij ka qenë Ermal Kurtulaj, por më pas, duke vënë re se nuk kishte interes është tërhequr.
Beqaj ka mohuar edhe pasurinë mbi një automjet në emër të Kurtulajt. "Unë në makinë jam gjithmonë pasagjer, ka shpjeguar Beqaj, pasi nuk kam leje drejtimi. Nuk bën sens të jetë pasuri e fshehur, pasi në vlerën e saj dhe në pasurinë e deklaruar prej meje mund të siguroja disa të tilla", tha ai.
Ilir Beqaj u arrestua mëngjesin e së enjtes lidhur me shpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte. (A2 Televizion)