Ndezi zjarrin që u përhap deri në Vranisht, arrestohet 25-vjeçari

Nga A2 CNN
29 Gusht 2026, 15:06 | Kronikë

Ndezi zjarrin që u përhap deri në Vranisht, arrestohet

Një 25-vjeçar është arrestuar nga Policia në Himarë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarrin në fshatin Tërbaç, i cili më pas është përhapur edhe në territorin e fshatit Vranisht.

Zjarri është raportuar më 26 gusht, në vendin e quajtur “Lugu i Thatë”, në fshatin Tërbaç. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë nisur edhe hetimet për përcaktimin e shkakut të zjarrit.

Ndërkohë, forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të vënë nën kontroll flakët.

Si pasojë e përhapjes së zjarrit, flakët kanë përfshirë edhe territorin e fshatit Vranisht, duke djegur një sipërfaqe të madhe toke të mbjellë, si dhe bimësi të egër dhe pyjore.

Pas hetimeve dhe mbledhjes së provave, Policia ka identifikuar si autor të dyshuar shtetasin A. B., 25 vjeç, banues në Tërbaç.

Në përfundim të hetimeve, 25-vjeçari është arrestuar dhe materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës. Ai akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos