Sulmi i hakerave të Iranit në Bashkinë Tiranë, reagon Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 20:07 | Kronikë

Sulmi i hakerave të Iranit në Bashkinë Tiranë, reagon

Hakerat iranianë sulmuan ditën e sotme faqen e Bashkisë së Tiranës, duke e nxjerrë jashtë funksionit. Grupi i hakerave “Homeland Justice” pranoi se fshihet pas këtij sulmi.

Përmes një postimi në aplikacionin “Telegram”, ata e lidhin sulmin kibernetik me mbështetjen që qeveria shqiptare u jep muxhahedinëve, te strehuar prej vitit 2013 në selinë e saj në Manzë të Durrësit.

Ndërkohë pak minuta më parë ka reaguar edhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili ka konfirmuar sulmin kibernetik të Iranit, shkruan A2 CNN.

Po ashtu, në njoftimin e AKSK, teksa dënohet akti i hackerave iranianë, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga Bashkia Tiranë.

AKSK njofton gjithashtu ngritjen e një grupi pune, sëbashku me Policinë e Shtetit dhe një grup ekspertësh të sigurisë kibernetike, për të parandaluar përhapjen e këtij sulmi edhe në sisteme të tjera dhe për të rikthyer në gjendje funksionale sistemet e goditura.

Njoftimi i AKSK:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë.

Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki.

Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë për të:

 • Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit;

 • Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura;

 • Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura;

 • Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse.

Aktualisht, punonjësit e AKSK-së janë në terren dhe në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit, si edhe AKSHI-n për analizën e malëare-t si edhe me institucionet përgjegjëse, për të siguruar një rikthim sa më të shpejtë dhe të sigurt të sistemeve në funksionalitet të plotë.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.

Në vijim do të ofrojmë përditësime të mëtejshme mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra, në përputhje me zhvillimet dhe informacionin e konfirmuar teknikisht.

Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos