Hakerat iranianë sulmojnë faqen e Bashkisë së Tiranës duke e nxjerrë jashtë funksioni. Grupi i hakerave “Homeland Justice” pranoi se fshihet pas këtij sulmi.
Përmes një postimi në aplikacionin “Telegram” ata e lidhin sulmin kibernetik me mbështetjen që qeveria shqiptare u jep muxhahedinëve , te strehuar prej vitit 2013 në selinë e saj në Manzë të Durrësit.
“Ne iu paralajmëruam të dëbonit terroristët e MEK nga territori i Shqipërisë. Por ju i njohët ata si refugjatë të ligjshëm dhe i dhatë lehtësi si letërnjoftime dhe pasaporta. Ata po udhëtojnë me këto karta identiteti të falsifikuara. Sipas marrëveshjes me organizatën “GIZ” ju ishit të detyruar t’u ofronit azil shumë qytetarëve, veçanërisht anëtarëve të MEK. Tani e kuptojmë më mirë, pse ata janë të vendosur në Tiranë, por i zhvillojnë eventet e tyre në Gjermani”, thuhet në postimet e HomeLand Justice në Telegram, të cilët theksojnë se “kjo situatë është shkaktuar nga liderët e qeverisë shqiptare. Sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre”.
Ndërkohë bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me sulmin kibernetik. Sipas bashkisë linku i platformës për regjistrimin e fëmijëve në kopshte është pezulluar deri në rikthimin në normalitet të platformës. (A2 Televizion)