Avokatura e Shtetit, institucioni në varësi të kryeministrit që jep asistencë juridike për institucionet do të pësojë ndryshime Një draft i ri i hedhur për konsultim publik synon të zgjerojë kompetencat e Avokaturës. Kjo e fundit do të japë asistencë edhe për bashkitë, veç institucioneve të pushtetit qendror.
Këshilli i Ministrave bën me dije se: “Avokatura e Shtetit përfaqëson dhe mbron interesat pasurorë të organeve të vetëqeverisjes vendore përpara gjykatave të të gjitha niveleve, pa autorizim të posaçëm të të përfaqësuarit, në çështjet gjyqësore në të cilat këto organe janë palë. Gjithashtu, është parashikuar shprehimisht edhe rasti i delegimit të së drejtës së përfaqësimit dhe mbrojtjes organit të interesuar të vetëqeverisjes vendore, vetëm në çështje të veçanta dhe sipas kritereve lëndore dhe sasiore të përcaktuara në rregulloren e miratuar nga Këshilli i Ministrave.”
Një nga shtesat kryesore është krijimi i figurës së “ndihmësit ligjor të avokatëve të shtetit”. Drafti parashikon që këta funksionarë të emërohen nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit “në nivel qendror dhe vendor”.
“Miratimi i këtij projektligji do të kontribuojë në përmirësimin dhe rritjen e cilësisë në ushtrimin e funksioneve të avokatëve të shtetit, garantimin e qëndrueshmërisë së profesionistëve, si dhe ofrimin e një përfaqësimi dhe mbrojtjeje të specializuar për pushtetin vendor. Nëpërmjet këtij projektligji synohet të zgjidhen pengesat e krijuara për rekrutimin e avokatëve të shtetit, duke parashikuar mënyra rekrutimi me kritere të forta dhe me procedurë më të shpejtë”, vijon Këshilli i Ministrave.
Sipas ndryshimeve ligjore, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit mund “t’ia delegojë të drejtën e përfaqësimit dhe të mbrojtjes organit të interesuar të vetëqeverisjes vendore”, sipas kritereve që do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
“Rezulton se numri i gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë që shqyrtojnë çështjet gjyqësore në të cilat përfaqësohen interesat pasurore të shtetit nga Avokatura e Shtetit, është të paktën sa 3-fishi i numrit të avokatëve të shtetit, çka do të thotë se vakancat që krijohen në këtë institucion mund të shkaktojnë dëme të rëndësishme dhe të pakthyeshme, për këtë arsye nevojitet që fenomeni i vakancave të shmanget brenda një kohe të shkurtër, duke lënë një mundësi rekrutimi të shpejtë dhe njëkohësisht duke ruajtur kritere të forta rekrutimi,” shton Këshilli i Ministrave.
Gjatë vitit të shkuar Avokatura e Shtetit përfaqësoi çështje gjyqësore me vlerë rreth 8 miliardë lekë ose 84 milionë euro, si dhe mbi 12 milionë m2 pasuri të paluajtshme. (A2 Televizion)