Në izolim prej 21 tetorit, Gjykata e Lartë nuk liron nga qelia nr.5 Ilir Metën

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2025, 16:58 | Kronikë

“Ish presidenti i Republikës, Ilir Meta, i izoluar në paraburgim prej 21 tetorit të vitit të shkuar, do të vijojë të zgjohet dhe të ngryset në qelitë e burgut.

Gjykata e Lartë refuzoi të enjten kërkesën e tij për liri, duke lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar me herët në dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit. 

Vendimi që rrëzoi rekursin e Metës u shpall nga një Kolegj Penal me relator gjyqtarin Ilir Panda dhe anëtarë gjyqtarët Albana Boksi e Mehdi Bici. Shqyrtimi i rekursit u bë në Dhomë Këshillimi pa praninë e palëve, ish-presidentit Meta, avokatit të tij, apo prokurorëve të SPAK.

Në të njëjtin vendim, Gjykata e Lartë refuzoi edhe rekursin e bërë nga bashkëshortja në proces divorci e Metës, deputetja Monika Kryemadhi, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj saj.  

“Në Gjykatën e Lartë Ilir Meta kërkoi liri duke pretenduar se SPAK nuk ka prova kundër tij, se nuk ka rrezik të largohet dhe mbi të gjitha se mbajtja në izolim i pengon aktivitetin politik, referuar faktit se është drejtuesi i forcës partiake të dytë më të madhe në vend”. 

Të enjten Gjykata e Lartë njoftoi zyrtarisht vetëm dispozitivin për lënien në fuqi të vendimit të Apelit për masat “arrest në burg” për Metën dhe “detyrim për paraqitje” për Kryemadhin, ndërsa në ditët në vijim pritet të zbardhen arsyet për refuzimin e kërkesës për liri.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për “korrupsion”,“pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, konsumuar në gjashtë episode, mes të cilave gjatë lidhjes së marrëveshjes, CEZ-DIA dhe pagesave për lobim të Lëvizjes Socialiste për Integrim në SHBA.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos