
Vijojnë kontrollet intensive të Policisë për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Si rezultat i veprimeve të pandërprera operacionale, një 35-vjeçar i dyshuar për përfshirje në kultivimin e lëndëve narkotike është kapur dhe vënë në pranga në Malësi të Madhe.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë lokalizuar dhe arrestuar shtetasin A. H., 35 vjeç, banues në fshatin Aliaj.
Sipas Policisë, 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ai dyshohet si bashkëpunëtor në kultivimin e 719 bimëve narkotike kanabis në fshatin Jeran, të cilat u zbuluan dhe u asgjësuan nga shërbimet e Policisë më datë 06.09.2025.
Pas arrestimit, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)