Në kërkim për trafik droge drejt Greqisë dhe vendeve Skandinave, ekstradohen dy shqiptarët

Nga A2 CNN
27 Janar 2024, 12:31 | Kronikë

Në kërkim për trafik droge drejt Greqisë dhe vendeve

Dy shtetas shqiptarë të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, respektivisht drejt Greqisë dhe vendeve Skandinave, janë ekstraduar drejt Tiranës ditën e sotme.

Nga Gjermani është ekstraduar shtetasi me iniciale E. D., i cili akuzohet se gjatë periudhës janar 2018-dhjetor 2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdha droge, në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Holandë dhe Gjermani.

Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, u ekstradua shtetasi E. D., 31 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 28.06.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.”


Ndërkohë, nga Athina është ekstraduar shtetasi me inicialet V.H., i cili akuzohet se më datë 30.03.2018, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të trafikojë kanabis drejt Greqisë.

Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua shtetasi V. H. alias V. H., 43 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës se Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 24.07.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos