83.7% e aksidenteve në vendin tonë ndodhin si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Këtë shifër dha në studion e “Dita jonë”, eksperti i sigurisë rrugore Fadil Likaj, sipas të cilit celulari dhe humbja e vëmendjes është kthyer në problem kryesor, bazuar kjo edhe në sondazhin e A2 CNN, për shkakun e aksidenteve në vend.
“Rreth 90% e aksidenteve në zonat urbane ndodhin për shkak të humbejs së vëmendjes, ku pjesën më të madhe e zë përdorimi i celularit. Edhe ne si ekspertë aksidenti nuk e verifikojmë dot që në momentin e aksidentit kanë përdorur. Zakonisht, drejtuesit e mjeteve i tremben policisë. Kjo grupmoshë është që fiton eksperiencë dhe mendojnë që e zotërojnë atë mjet në çdo kohë. Dhe e kuptojnë kur ndodh aksidenti se çfarë gabimi kanë bërë. Kanë vetëbesim të tepruar dhe shkon në këto rezultate”.
I pyetur për aksidentet me këmbësorë, eksperti Likaj theksoi se Shqipëria ka problem kulturën e sigurisë rrugore dhe këto aksidente ndodhin kryesisht me moshat e mëdha. Për këtë arsye, po hidhet ideja e vendosjes si lëndë shkollore.
“Kultura e sigurisë rrugore duhet të jetë tek të gjithë grupmoshat. Ne po hedhim idenë që të vendosim si lëndë shkollore te grupmoshat e reja dhe ky investim do të vilet pas minimumi 15 vitesh. Tek aksidenti automjet –këmbësor janë moshat mëdha, minimumi 45 vjeç e sipër këmbësor i aksidentuar dhe nuk e kanë edukatën se si duhet të sillen në rrugë, nuk kalojnë në vendkalimin e këmbësorëve, bëjnë ndërprerje të menjëhershme të rrugës. Përqindja më e madhe është në këtë lloj natyre”.
Në Tiranë, sipas tij, zona më problematike për aksidente rrugore ëhstë rruga e Kavajës për shkak të ndërthurjes këmbësorë, korsi biçikletash dhe mjete.
“Aty ku kemi përqëndrim më të madh të këmbësorëve. Segmenti rrugor më problematik është rruga e Kavajës, kemi ndërthurje këmbësorë, korsi biçikletash dhe mjete. Tirana ka nevojë për kërkime të thelluara shkencore, të bëhen llogaritje ku ka më shumë këmbësorë të përqëndruar dhe të shikohet se ku do të ishte më e mira, por unë them se sinjalizimi horizontal- vertikal ka nevojë në Tiranë. Por ka nevojë edhe për rishikim e studim se fluksi i popullsisë ndryshon.”
Një tjetër shkak i aksidenteve në Shqipëri, për ekspertin Lika janë edhe rrugët, të cilat sipas tij nuk bëhen sipas standardeve europiane.
“Në Shqipëri, rrugët lënë për të dëshiruar, rruga e Arbrit një kantier ndërtimi, ku kanë humbur jetën shumë njerëz. Në Shqipëri është problem investimi, i cili nuk kryhet duke iu referuar standardeve europiane. Vendet europiane kur implementojnë një segment rrugor e kanë kopsitur nga të gjitha drejtimet; mjete, këmbësorë, çiklistë. Në Shqipëri kjo gjë mungon. Dhe shoh që një rrugë e bën projektin një arkitekt dhe ky implementohet, nuk ekziston kultura që këtij projekti t’i bëhet një audit nga ekspertë të sigurisë rrugore, për ta bërë të zbatueshëm për Shqipërinë.”
Po kështu edhe “emigrantët i zbatojnë rregullat në vendet nga vijnë kurse në Shqipëri nuk i zbatojnë, ose kryejnë parakalim të gabuar, ose shpejtësi të lartë ose ndërprerje të lëvizjes. Por këtë, nuk e bëjnë atje ku jetojnë”.
I pyetur për uljen e moshës së marrjes së patentës, Likaj theksoi se këtë e bëjnë vendet europiane që informacionin për rregullat e qarkullimit i marrin që në shkollë.
“Vendet e BE-së e më gjerë marrin informacion të detajuar mbi rregullat e qarkullimit rrugor dhe shkollat organizojnë edhe praktika. Ata në moshën 16-vjeçare janë gati për të drejtuar një mjet apo një motor”.
Sa u takon masave për drejtuesit që shkelin rregullat, ai tha se në kryeqytet ka presion, por duhet një frymë e përbashkët në të gjithë Shqipërinë.
“Në momentin që policia merr masa të rrepta dhe të patolerueshme kjo duhet të ndodhë në të gjithë Shqipërinë.”
Ai apeloi drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes mos kryejnë parakalim të gabuar, të rregullojnë shpejtësinë dhe të kenë kujdes ndaj përdorimit të lëndëve narkotike, alkoolit dhe celularit.
“Ditën e hënë, drejtuesit e mjeteve përshpejtojnë të kapin punën, apo të çojnë një fëmijë në shkollë. Drejtuesi të bëjnë kujdes mos kryejnë parakalim të gabuar, apo të disa mjeteve dhe të rregullojnë shpejtësinë pranë kryqëzimeve se mosrregullimi sjell pasoja në dëme materiale e njerëzore. Të mos lëvizë me shpejtësi tej normave të lejuara. Thirrje drejtuesve që qarkullojë në Tiranë-Durrës të pozicionohen në korsinë e djathtë. Është bërë trend që të gjitha mjetet pozicionohen në krahun e majtë, kujdes ndaj përdorimit të lëndëve narkotike, alkoolit dhe celularit”.
Sipas INSTAT, në nëntor numri i aksidenteve në vendin tonë është rritur shumë në krahasim me një vit më parë nga 92 në 2022 në 167 në nëntorin e këtij viti. Grupmosha kryesore 25-34 vjeç”. (A2 Televizion)