Nga shefa krimesh në burg, "SKY ECC" i nxori zbuluar në grupet e trafikut të kanabisit

Nga Armand Bajrami
3 Mars 2025, 17:38 | Kronikë

Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” të caktuara në mungesë për shefat e krimeve të policisë së Himarës e të Lushnjës dhe një ish-efektivi të Operacionales. Të tre dyshohen nga SPAK si anëtarë të grupeve kriminale të kultivimit e trafikimit të kanabisit dhe akuzohen për kultivim dhe trafik të kanabisit, kryer në formën e grupit kriminal dhe për shpërdorim të detyrës. 

Në përballjen e parë me gjykatën dy zyrtarët e policisë të pezulluar nga detyra, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinanaj dhe ish-efektivi Erdit Hazizaj, mbajtën qëndrim mohues për akuzën. Përmes avokatëve, ata pretenduan se SPAK nuk kishte prova të mjaftueshme për të lidhur emrat e tyre me disa kode të aplikacionit SKY ECC, raporton A2 CNN.

Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK pretenduan se tre të dyshuarit edhe i shpalluri në kërkim Ervis Dervishi, shefi i Policisë Kufitare Sarandë kanë mbajtur kontakte përmes këtij aplikacioni me anëtarët e dy grupeve kriminale, duke i vënë në dijeni për operacionet anti-drogë.

Në një nga komunikime në SKY, të administruar në dosje, të dyshuarit shprehin shqetësim për bllokimin e një sasie prej 1.1 ton kanabis në Greqi, duke ju shkaktuar një dëm prej 1.7mln euro, ndërsa në një rast tjetër thonë “e kemi punën me shtet”, transmeton A2 CNN.

Sipas hetimit të SPAK, drejtuesit e këtij grupi kriminal ishin Kristo Qirici, i njohur edhe me emrat Jetmir Hoxha e Jetmir Qirici, vëllai Edmond Papës, biznesmenit të ekzekutuar në Tiranë në vitin 2022 dhe Elidjon Alushaj, i njohur edhe si Kosta Alushaj. Ndërsa drejtuesi i grupit tjetër të goditur nga i njëjti hetim ishte Luiz Bala, që mbante edhe emrin Edmond Sinanaj.

SPAK ka dokumentuar dy episode të trafikut të drogës, që dyshohet se kultivohej në natyrë apo në ambiente të mbyllura në zonën e Sarandës si edhe në zonën Gjirokastër – Tepelenë, me qëllim trafikimin drejt Greqisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos